DOKUMENTA / INFO
Informacione dhe Dokumenta të Përgjithshme.
Informacion për të gjithë të interesuarit për t’u pajisur me Leje Drejtimi.
Cilat janë kushtet për marrjen e lejes së drejtimit?
Për marrjen e lejes së drejtimit për herë të parë, personi i interesuar duhet:
- të plotësojë kërkesat psiko-fizike;
- të plotësojë kërkesat e moshës minimale:
• 18 vjeç për drejtimin e mjeteve me motor, të kategorive A1, A2, B1 dhe B;
- të regjistrohet në një autoshkollë të licencuar për kategorinë e kërkuar;
- të kryejë trajnimin mbi dhënien e ndihmës së parë në rast aksidenti rrugor;
- të kryejë programin e plotë teorik dhe të fitojë provën e kontrollit të njohurive teorike;
- të kryeje programin e plotë praktik për drejtues mjeti dhe të fitojë provën praktike;
- të aplikojë për pajisje me leje drejtimi pas kryerjes së pagesave përkatëse.
Ku duhet të regjistrohem për marrjen e lejes së drejtimit?
Ju duhet të regjistroheni në një autoshkollë të licencuar për kategorinë e kërkuar. Ju mund të vizitoni www.dpshtrr.gov.al për të parë listën e autoshkollave me status aktiv dhe nëse autoshkolla është e licencuar për kategorinë që interesoheni.
Çfarë dokumentesh duhet të paraqes për regjistrim në autoshkollë?
- Dokument identifikimi të vlefshëm (për shtetasit e huaj, pasaportë dhe leje qëndrimi të vlefshme);
- Dy (2) fotografi, me ngjyra, me përmasa 4×5 cm;
- Certifikatë mjekësore të kandidatit që vërteton aftësinë shëndetësore për të drejtuar mjetin rrugor të kategorisë përkatëse, të lëshuar jo më përpara se gjashtë muaj nga data e paraqitjes së kërkesës për t’u regjistruar në autoshkollë.
Ndërmjet titullarit të autoshkollës dhe kandidatit lidhet një kontratë ku përcaktohen të drejtat dhe detyrat e secilës palë.
Sa është kohëzgjatja e përgatitjes teorike dhe praktike për drejtues mjeti për pajisje me leje drejtimi për herë të parë? Kohëzgjatja e përgatitjes teorike dhe praktike të detyrueshme në autoshkollë, jepet në tabelën e mëposhtme:
Kategoria e lejes së drejtimit | PËRGATITJA TEORIKE | PËRGATITJA PRAKTIKE | |||
---|---|---|---|---|---|
Nr. i orëve | Nr. i ditëve | Nr. i seancave | Nr. i ditëve | Kohëzgjatja (min) | |
A1 | 36 | 15 | 12 | 12 | Jo më pak se 40′ |
A2 | 36 | 15 | 12 | 12 | Jo më pak se 40′ |
B1 | 36 | 15 | 12 | 12 | Jo më pak se 40′ |
B2 | 36 | 15 | 12 | 12 | Jo më pak se 40′ |
Shënim: Për kategorinë B, përveç programit të treguar, kandidatët duhet të kryejnë edhe 6 orë ushtrim të detyrueshëm praktike si më poshtë:
- 2 orë lëvizje në kushte të natës, në rrugë urbane të ngushta dhe të gjera ku ka mjete të parkuara anash ose jo, në kryqëzime të rregulluara me sinjale vertikale dhe impiante semaforike;
- 2 orë lëvizje në rrugë urbane ose në rrugë interurbane dytësore, duke shfrytëzuar mjetin në regjime të ndryshme të punës së motorit, në regjimin e momentit përdredhës maksimal dhe duke shfrytëzuar konsumin minimal të karburantit;
- 2 orë lëvizje në autostradë ose rrugë interurbane kryesore apo dytësore duke e kaluar shpejtësinë 50 km/orë, duke përdorur 5 marshe dhe marshin më të përshtatshëm të shpejtësisë gjatë lëvizjes.
Testimi Teorik?
Çfarë duhet të di për Testimin Teorik?
Provimi i teorisë bëhet pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, ku ka adresën autoshkolla, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe. Tarifa e regjistrimit për provimin: 2,000 Lekë;
- Provimi është i informatizuar;
- Testi përbëhet nga 40 (dyzet) pyetje të pavarura;
- Koha e testimit: 40 (dyzet) minuta;
- Gabimet e lejuara: 4 (katër).
Me kërkesë të autoshkollës, kandidati që ka përfunduar përgatitjen e plotë teorike sipas programit të miratuar, paraqitet pranë drejtorisë rajonale ku është e regjistruar autoshkolla për dhënien e provës së teorisë me dokumentet:
- Dokument identifikimi të vlefshëm (për shtetasit e huaj, pasaportë dhe leje qëndrimi të vlefshme);
- Leje për provën e kontrollit të njohurive;
- Dëshminë për kryerjen e trajnimit mbi dhënien e ndihmës së parë në rast aksidenti rrugor.
Shënim: Përjashtohen nga kryerja e kursit të trajnimit për dhënien e ndihmës së shpejtë mjekësore në rast aksidenti rrugor të gjithë personat që kanë kryer studimet e larta në degët mjekësi apo infermieri. Në këto raste kërkohet fotokopje e diplomës e nënshkruar nga urdhri përkatës (urdhri i mjekut dhe urdhri i infermierit).
Në rast se nuk e kaloj Testimin Teorik, kur mund të paraqitem për riprovim? Sa është vlefshmëria e testimit teorik të fituar?
VINI RE: Ju keni të drejtë të kontestoni brenda dy ditëve rezultatin e Testimit Teorik dhe të kërkoni rishikim të testit, duke e argumentuar kërkesën tuaj me shkrim pranë drejtorisë rajonale. Kërkesa juaj bashkë me testin përcillen në DPSHTRR (Drejtoria e Drejtuesve të Mjeteve), e cila rishikon testimin dhe ju kthen përgjigje zyrtare.
Testimi Praktik
Çfarë duhet të di për Testimin Praktik (prova e aftësive drejtuese e të sjelljes)?
Me kërkesë të autoshkollës, kandidati që ka përfunduar përgatitjen e plotë praktike sipas programit të miratuar, paraqitet pranë drejtorisë rajonale ku është e regjistruar autoshkolla për dhënien e provës së aftësive drejtuese e të sjelljes me dokumentet:
- Dokument identifikimi (kartë identiteti dhe për shtetasit e huaj, pasaportë dhe leje qëndrimi të vlefshme);
- Autorizim për provën e aftësive drejtuese e të sjelljes;
Si dhe, i shoqëruar nga instruktori i praktikës së bashku me mjetin për ushtrimin e provës praktike (të autoshkollës ku ka kryer përgatitjen përkatëse);
Kohëzgjatja e Testimit Praktik: Jo më pak se 25 minuta për një kandidat. Instruktori i praktikës duhet të jetë prezent në mjet dhe gjatë ushtrimit të provave të praktikës, përveç mjeteve të kategorisë A1, A2.
Tarifa e regjistrimit për provimin e praktikës:
- Kategoria A, B, BE: 2800 lekë
- Kategoria C, D, CE: 3500 lekë
Në rast se nuk e kaloj Testimin Praktik, kur mund të paraqitem për riprovim?
Riprovimi: Nëse personi i interesuar nuk e fiton/kalon Testimin Praktik, duhet ta vazhdojë përgatitjen praktike dhe mund të rifutet në provë jo më parë se 10 (dhjetë) ditë, nga dita e testimit të pafituar, pas kryerjes së pagesës përkatëse. Kandidati ka të drejtë të paraqitet në prova deri në pesë herë brenda 6 muajve të vlefshmërisë së Autorizimit.
Tarifa e regjistrimit për riprovimin e praktikës:
- Kategoria A, B, BE: 2200 lekë
- Kategoria C, D, CE: 2800 lekë
VINI RE: Ju keni të drejtë të kontestoni brenda dy ditëve rezultatin e Testimit Praktik, duke e argumentuar kërkesën tuaj me shkrim pranë drejtorisë rajonale, e cila përcillet më pas në DPSHTRR. Nëse kërkesa është e motivuar dhe argumentet janë bindëse, DPSHTRR vendos për rimarrjen e kursantit në provimin e praktikës me përbërje tjetër komisioni.